Gjërat që shënuan gjysmën e parë të vitit në MIG

Përveç orëve të zakonshme mësimore dhe notave, shkolla MIG u ka ofruar nxënësve të saj aktivitete zbavitëse dhe edukative, të cilat e kanë bërë këtë periudhë të paharrueshme për të gjithë.

Më 16 tetor 2024, nxënësit e viteve të 3-ta dhe të 4-ta, së bashku me profesoreshën Dijana Petrova, vizituan bibliotekën e qytetit “Vëllezërit Milladinovci”. Aty mbajtën një ligjeratë me psikologen Tiana Ivanova mbi temën "Shëndeti mendor dhe çfarë do të thotë ai". Ajo fliste për shoqërinë, familjen, intelegjencën emocionale dhe si ndikojnë në shëndetin mendor, si te veprohet ne situata te ndryshme, si të menaxhohet stresi dhe shumë gjëra të tjera të rëndësishme për adoleshentët, të cilët janë ende në fazën e rritjes.

Më 7 nëntor 2024, nxënësit kaluan një ditë në parkun e qytetit, duke bërë piknik me shokët dhe shoqet, duke luajtur lojëra zbavitëse dhe duke shijuar natyrën. Kjo ishte një ditë relaksuese e domosdoshme për të gjithë.

Një tjetër ngjarje e veçantë ishte më 13 nëntor 2024, kur nxënësit ndoqën shfaqjen teatrale “Revisor” nga dramaturgu rus Nikolai Gogoli, e cila u mbajt në teatrin “Komedija” në Shkup. Shfaqja ishte shumë e përshtatshme dhe argëtuese për nxënësit.

Ndërkohë, më 29 tetor, shkolla organizoi patronatin e saj, një nga aktivitetet më të rëndësishme dhe më të paharrueshme të vitit. Fillimisht, nxënësit morën pjesë në ndeshje futbolli mes paraleleve ku secili ekip kishte mbështetje të jashtëzakonshme nga shokët e klasës.

Pas lojërave, u mbajt një “Talent Show” që u dha nxënësve mundësinë të shfaqnin talentet e tyre të fshehura. Fituesi i Talent Show-it fitoi një çmim në para, të mbledhura nga biletat hyrëse. Për të plotësuar këtë ditë të veçantë, nxënësit organizuan një tryezë ushqimesh me shumëllojshmëri gatimesh të përgatitura nga vetë ata.

Të mos harrojmë momentin e pabesueshëm kur nxënësi ynë në vitin e tretë Damjan Davkov fitoi çmimin e madh në garën më të madhe të matematikës për nxënës të shkollave të mesme në Maqedoni – UltiMATH, ku morën pjesë mbi 2500 nxënës. Përveç suksesit të tij të madh, disa nga shkolla jonë e mesme gjithashtu u renditën në dhjetëshen e parë.

Të gjitha këto aktivitete jo vetëm që i argëtuan nxënësit, por i pasuruan edhe nga ana edukative dhe shoqërore, duke krijuar kujtime të paharrueshme për gjysmën e parë të vitit shkollor.

Autor: Rezana Abdullai dhe Sara Ajdari